Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se institucioni që ajo drejton ka pranuar një agjendë të gjerë legjislative nga Qeveria, por që procesimi i saj mbetet i bllokuar për shkak të zhvillimeve kushtetuese.
Sipas saj, bëhet fjalë për rreth 174 projektligje, të cilat nuk mund të trajtohen aktualisht për shkak të masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
“Duhet të presim deri më 31 mars”, theksoi Haxhiu, duke e cilësuar agjendën si ambicioze dhe të rëndësishme për vendin.
Ajo nënvizoi se, përtej debatit në seanca plenare, pesha kryesore e punës bie mbi komisionet parlamentare, të cilat sipas saj janë thelbësore për shqyrtimin përmbajtësor të projektligjeve.
Kryeparlamentarja theksoi gjithashtu nevojën për përfshirje më të gjerë në procesin legjislativ, duke përmendur rolin e shoqërisë civile, institucioneve dhe grupeve të interesit në hartimin e ligjeve që i përgjigjen realitetit në vend.
Në të njëjtën kohë, ajo pranoi se sfida nuk qëndron vetëm te miratimi i ligjeve, por edhe te zbatimi i tyre në praktikë, një problem i kahershëm në Kosovë.
“Kosova ka ligje të mira, por shpesh ato nuk zbatohen”, tha Haxhiu, duke shtuar se do të angazhohet për forcimin e rolit të Kuvendit dhe për përmirësimin e cilësisë së procesit legjislativ.
Situata aktuale e vendos Kuvendin në një fazë pritjeje, ndërsa vendimi përfundimtar i Kushtetueses pritet të përcaktojë hapat e ardhshëm institucionalë.

