Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngritur alarmin për një skemë të dyshuar manipulimi me njehsorët e energjisë elektrike, duke dorëzuar qindra dëshmi në ZRRE.
Sipas anëtarit të LDK-së, Visar Azemi, qytetarët mund të jenë dëmtuar drejtpërdrejt përmes ndërhyrjeve në matësit e energjisë, ndërsa kërkohet hetim i menjëhershëm dhe shkarkimi i bordit të ZRRE-së, i cili, sipas tij, ka humbur legjitimitetin për të vendosur mbi çmimet e energjisë.
LDK ka kërkuar gjithashtu ndalimin urgjent të ndërhyrjeve nga punëtorët e KEDS në njehsorë, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të çojnë në zhdukje të provave, çka përbën vepër penale.
Partia opozitare thekson se çdo qytetar i dëmtuar nga kjo skemë duhet të kompensohet, duke e cilësuar situatën si një goditje serioze ndaj besimit në sistemin energjetik. Nëse këto pretendime provohen, kemi të bëjmë jo thjesht me faturat – por me një krizë besimi që prek drejtpërdrejt xhepin e çdo familjeje.

