Komisioni Europian ka ngritur alarmin pas një sulmi kibernetik që ka pasur në shënjestër platformën zyrtare Europa.eu, duke pranuar për herë të parë se mund të ketë pasur rrjedhje të dhënash.
Zëdhënësi i Komisionit, Thomas Regnier, bëri të ditur se sistemet e sigurisë e identifikuan menjëherë aktivitetin e dyshimtë dhe ndërhyrja e shpejtë ndihmoi në kufizimin e incidentit. Megjithatë, ai konfirmoi se të dhënat paraprake tregojnë se disa informacione mund të jenë marrë, pa specifikuar natyrën e tyre.
Sulmi ka prekur platformën publike të faqeve, e cila është e hostuar nga Amazon, ndërsa autoritetet europiane theksojnë se infrastruktura e brendshme e Komisionit nuk është komprometuar.
Hetimet janë ende në zhvillim dhe institucionet europiane po bashkëpunojnë me partnerët teknikë për të sqaruar përmasat e incidentit. Ndërkohë, zyrtarët theksojnë se rritja e sulmeve kibernetike është një trend global dhe ky rast është një tjetër kujtesë se lufta digjitale është po aq reale sa ajo në terren.

