Presidenti i Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se lufta me Iranin mund të përfundojë brenda “dy javësh, ndoshta tre”, duke theksuar se rezultati nuk varet domosdoshmërisht nga një marrëveshje.
Ai u shpreh se objektivi është shkatërrimi i kapaciteteve bërthamore iraniane dhe dobësimi i plotë i potencialit ushtarak, duke lënë të kuptohet se operacionet do të vazhdojnë deri në arritjen e këtij qëllimi.
Në të njëjtën kohë, tensionet mbeten të larta në rajon, me sulme të reja që kanë përfshirë zona në Gjirin Persik dhe kryeqytetin iranian, ndërsa konflikti po zgjerohet përtej kufijve fillestarë.
Paralelisht, aleati kryesor i SHBA-së në rajon, Izraeli, ka deklaruar se operacionet ushtarake do të vazhdojnë pa ndërprerje, ndërsa nga ana tjetër Irani ka sinjalizuar gatishmëri për t’i dhënë fund luftës, por vetëm me garanci të forta.
Ndërkohë, brenda NATO po shtohen tensionet, pasi zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar se marrëdhëniet me aleatët mund të rishikohen pas përfundimit të konfliktit.

