Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë mbi ecurinë e negociatave me Bashkimi Evropian, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment historik dhe se anëtarësimi nuk është më ëndërr, por një plan konkret.
Sipas tij, Shqipërisë “i ka buzëqeshur fati si asnjëherë më parë”, pasi kushtet politike dhe strategjike janë më të favorshme se kurrë për integrimin evropian. Rama nënvizoi se negociatat janë tashmë të hapura dhe paralajmëroi se kjo mundësi duhet shfrytëzuar maksimalisht për të mos rrezikuar mbylljen e procesit.
Ai bëri të ditur se vendi është refuzuar tri herë në të kaluarën për hapjen e negociatave, jo për mungesë përmbushjeje të detyrave, por për arsye politike nga shtete anëtare. Ndërsa tani, sipas tij, situata është ndryshe dhe Shqipëria duhet të veprojë shpejt për të përmbyllur fazën teknike deri në vitin 2027, përpara vendimmarrjes politike nga vendet e BE-së.
Rama u shpreh gjithashtu se anëtarësimi në BE do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, duke garantuar mundësi të barabarta në arsim, tregun e punës dhe akses në shërbime në të gjithë hapësirën evropiane.
Në lidhje me korrupsionin, ai theksoi se perceptimi shpesh është më i madh se realiteti, por shtoi se lufta kundër tij nuk duhet të kufizohet vetëm në ndëshkime, por në eliminimin e korrupsionit si alternativë për qytetarët.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, deklaroi se procesi i integrimit është në ritmin e duhur dhe kërkon angazhim të përbashkët nga institucionet dhe qytetarët, sidomos nga të rinjtë, të cilët do të jenë përfituesit kryesorë të këtij procesi.
Ai theksoi se integrimi në BE nuk është vetëm një objektiv politik, por një transformim i thellë i shoqërisë dhe mendësisë, duke e cilësuar këtë si “provimin më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë”.

