Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme, e thirrur për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të derivateve të naftës dhe ndikimit të tyre në jetën e qytetarëve.
Seanca, e cila nis në orën 11:00, ka vetëm një pikë në rend dite: shqyrtimin e Propozim-Rezolutës që trajton shtrenjtimin e naftës, mungesën e ndërhyrjes nga Qeveria dhe pasojat direkte në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik.
Kjo nismë është ndërmarrë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me mbështetjen e Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka theksuar se situata është alarmante dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga ekzekutivi.
Sipas saj, çmimet e naftës po rriten çdo ditë, ndërsa qytetarët po përballen me varfërim të vazhdueshëm, në një kohë kur Qeveria, siç u shpreh ajo, po qëndron pasive.
“Kërkojmë veprime të menjëhershme, transparencë dhe masa konkrete. Qytetarët nuk janë bankomat i Qeverisë”, ka deklaruar ajo.
Debati pritet të jetë i ashpër, në një moment kur çmimet e energjisë dhe inflacioni po prekin drejtpërdrejt çdo familje në vend.

