Manchester City ka siguruar një fitore të thellë 4-0 ndaj Liverpoolit në çerekfinalet e FA Cup, duke kaluar bindshëm në gjysmëfinale të kompeticionit më të vjetër për klube.
Edhe pse pa trajnerin Pep Guardiola në stol për shkak të pezullimit, skuadra e Cityt dominoi takimin nga fillimi në fund, duke mos i dhënë asnjë mundësi rivalit për reagim.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 39-të, kur Erling Haaland realizoi nga penalltia pas një ndërhyrjeje të gabuar në zonë nga Virgil van Dijk. Vetëm pak para përfundimit të pjesës së parë, sulmuesi norvegjez shënoi sërish, duke dyfishuar epërsinë për vendasit.
Në pjesën e dytë, dominimi i Manchester Cityt vazhdoi, ku Semenyo realizoi golin e tretë pas një asistimi të bukur, ndërsa Haaland kompletoi tripletën e tij në minutën e 57-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0. Me këtë performancë, ai e çon në 33 numrin e golave të shënuar këtë sezon me fanellën e Cityt.
Liverpooli pati një mundësi të mirë për të zbutur rezultatin, por Mohamed Salah gaboi nga pika e bardhë në minutën e 64-të, duke u ndalur nga portieri Trafford.
Me këtë fitore, Manchester City bëhet skuadra e parë që siguron një vend në gjysmëfinale të FA Cup, ndërsa Liverpooli eliminohet pa mundur të lërë gjurmë në këtë përballje.

