Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përmbyllur një vizitë dy-ditore në Gjirin Persik, ku zhvilloi takime me liderët e Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite, me fokus kryesor sigurimin e furnizimit me energji dhe stabilitetin rajonal.
Vizita vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin, pas tensioneve të shkaktuara nga konflikti dhe mbyllja e pjesshme e Ngushticës së Hormuzit, një nga pikat më strategjike për transportin global të naftës dhe gazit.
Gjatë qëndrimit në Doha, Meloni u takua me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al-Thani, ku u diskutua për ndërprerjet e furnizimit me gaz dhe nevojën për rikthimin e stabilitetit energjetik. Italia ofroi mbështetje teknike për rehabilitimin e infrastrukturës energjetike të dëmtuar dhe kërkoi bashkëpunim urgjent për garantimin e lirisë së lundrimit në Hormuz.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, ajo u takua me presidentin Mohamed bin Zayed Al-Nahyan, duke shprehur solidaritet përballë sulmeve dhe duke diskutuar bashkëpunimin në siguri, mbrojtje dhe menaxhimin e krizave. Ndërsa në Arabinë Saudite, Meloni zhvilloi bisedime me princin e kurorës Mohammed bin Salman, ku u trajtuan çështje që lidhen me ndihmën mbrojtëse dhe perspektivat e konfliktit në rajon.
Takimet u fokusuan gjithashtu në investimet e përbashkëta në infrastrukturën kritike, mbrojtjen energjetike dhe menaxhimin e flukseve migratore në Mesdhe.
Kjo vizitë konsiderohet si një nga lëvizjet më të rëndësishme diplomatike në rajon nga një lider evropian që nga fillimi i konfliktit, duke reflektuar përpjekjet e Italisë për të luajtur një rol më aktiv në sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.
Në Itali, vizita është pritur me reagime të ndryshme politike, ku opozita ka shprehur kritika, ndërsa ish-kryeministri Matteo Renzi e cilësoi atë si një vendim të zgjuar politikisht, pavarësisht sfidave që priten në muajt e ardhshëm.

