Ipeshkvia Prizren-Prishtinë ka publikuar programin zyrtar të kremtimit të Pashkëve për vitin 2026, duke ftuar besimtarët që të marrin pjesë në meshët solemne që do të mbahen në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
Sipas njoftimit, Vigjilja e Pashkës do të kremtohet të shtunën, më 4 prill, duke filluar nga ora 21:00, me meshë solemne të udhëhequr nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët e ipeshkvisë. Ndërsa të dielën, më 5 prill, në Ditën e Pashkës, mesha do të mbahet nga ora 11:00 në të njëjtën katedrale.
Kisha Katolike u ka bërë thirrje të gjithë besimtarëve, miqve dhe dashamirëve që të bashkohen në festimin e Ringjalljes së Krishtit, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit të krishterë.
Në mesazhin e tij për Pashkët, Ipeshkvia thekson domethënien e thellë shpirtërore të kësaj feste, duke e lidhur gëzimin e saj me sakrificën dhe vuajtjen që paraprin Ringjalljen. Ndryshe nga atmosfera festive e Krishtlindjes, Pashkët përshkruhen si një përjetim më i thellë dhe më reflektues, që kalon përmes dramës së Kryqit dhe heshtjes së Varrit.
Sipas mesazhit, Ringjallja e Krishtit përfaqëson triumfin mbi mëkatin dhe vdekjen, duke sjellë shpresë, paqe dhe një kuptim të ri për jetën. Kisha thekson se përmes këtij misteri, besimtarët ftohen të jetojnë me shpresë dhe të dëshmojnë dashurinë, paqen dhe pajtimin në përditshmëri.
Po ashtu, në mesazh vihet theksi tek sfidat e kohës moderne, duke përmendur padrejtësitë, konfliktet dhe urrejtjen që vazhdojnë të prekin botën, ndërsa theksohet se besimi dhe shpresa mbeten udhërrëfyes për të përballuar këto realitete.
Në fund, bëhet thirrje për ruajtjen e paqes, bashkëjetesës ndërfetare dhe solidaritetit shoqëror, duke kujtuar se koha duhet shfrytëzuar për mirëkuptim dhe jo për përçarje.
Mesazhi përmbyllet me urimin tradicional: “Për shumë mot Pashkët, Aleluja!”.


