Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka miratuar një vendim të ri për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës në Kosovë, duke vendosur një mekanizëm ditor për përcaktimin e çmimit maksimal të lejuar në treg.
Vendimi, i nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari-Lila, ka hyrë në fuqi nga data 5 prill 2026 dhe synon të rrisë transparencën dhe stabilitetin në formimin e çmimeve të karburanteve.
Sipas këtij mekanizmi, MINTI do të publikojë çdo ditë, jo më vonë se ora 10:00, çmimet maksimale të lejuara për shitje në tregun vendor, të bazuara në të dhënat e importit dhe lëvizjet në tregun ndërkombëtar.
Për ditën e parë të zbatimit, çmimet maksimale janë përcaktuar si më poshtë:
- Nafta (dizel): 1.86 euro për litër
- Benzina: 1.49 euro për litër
Ministria thekson se asnjë operator ekonomik nuk lejohet të tejkalojë këto çmime, ndërsa zbatimi i vendimit do të monitorohet nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës.
Ky vendim vjen si përgjigje ndaj luhatjeve të vazhdueshme në tregjet globale të energjisë dhe ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga rritjet e menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve.
MINTI u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve që të respektojnë vendimin, duke theksuar se masat nuk synojnë ndëshkimin e bizneseve, por krijimin e një tregu të drejtë, të qëndrueshëm dhe në shërbim të qytetarëve.
Shkeljet e këtij vendimi do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi.




