Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se autoritetet serbe kanë zbuluar një sasi eksplozivi me fuqi të madhe shkatërruese pranë infrastrukturës së gazit në veri të vendit, afër kufirit me Hungarinë.
Sipas tij, lënda plasëse është gjetur gjatë një operacioni të përbashkët të ushtrisë dhe policisë në territorin e Vojvodinës, vetëm disa qindra metra nga tubacioni i gazit Balkan Stream, që lidh Serbinë me Hungarinë.
Vuçiq bëri të ditur se për këtë zhvillim ka informuar edhe kryeministrin hungarez, Viktor Orbán, ndërsa theksoi se rasti paraqet kërcënim serioz për sigurinë energjetike dhe jetën e qytetarëve.
“Ato mund të kishin rrezikuar një numër të madh njerëzish dhe të kishin shkaktuar dëme të mëdha në furnizimin me gaz”, deklaroi ai, duke shtuar se hetimet janë në zhvillim dhe se autoritetet kanë indikacione për grupet e përfshira.
Megjithatë, pretendimet e presidentit serb janë vënë në pikëpyetje nga opozita si në Serbi ashtu edhe në Hungari.
Partia Demokratike në Serbi e cilësoi rastin si një “manovër politike”, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të krijojë atmosferë frike dhe tensioni, veçanërisht në prag të zgjedhjeve në Hungari.
Edhe figura të opozitës hungareze kanë ngritur dyshime mbi kohën dhe rrethanat e incidentit, duke sugjeruar se ngjarja mund të ketë motive politike.
Sipas mediave serbe, operacioni i kërkimit në zonë është zhvilluar me përfshirjen e dronëve, helikopterëve, qenve nuhatës dhe pajisjeve të avancuara, ndërsa zona është monitoruar si nga toka ashtu edhe nga ajri.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje të plota mbi rastin, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë rrethanat dhe përgjegjësit e mundshëm.
