Në konfliktet e fundit, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, dronët janë kthyer në armët kryesore të luftës moderne, duke zhvendosur fokusin nga teknologjitë e shtrenjta drejt zgjidhjeve më të lira, më të shpejta dhe më efektive.
Sipas analizave të fundit, tregu global i sistemeve autonome – që përfshin dronë ajrorë, tokësorë dhe detarë – pritet të rritet nga rreth 47 miliardë dollarë në afro 98 miliardë deri në vitin 2033, duke reflektuar rëndësinë në rritje të këtyre teknologjive në strategjitë ushtarake.
Nga dronët e shtrenjtë tek “revolucioni i lirë”
Për vite me radhë, skenën e dominonin dronët e mëdhenj dhe të kushtueshëm si Predator dhe Reaper, të prodhuar nga kompani amerikane si General Atomics. Këto sisteme, që kushtojnë dhjetëra miliona euro, janë përdorur gjerësisht në luftën kundër terrorizmit.
Por konfliktet e fundit kanë treguar kufizimet e tyre: janë të ngadalshëm, të dukshëm për radarët dhe shpesh objektiva të lehtë për sistemet kundërajrore.
Në vend të tyre, po ngrihet një “brez i ri” dronësh – më të lirë, më të vegjël dhe më të adaptueshëm. Dronët-kamikazë, si modelet iraniane Shahed, mund të kushtojnë më pak se 25 mijë euro dhe të përshkojnë mijëra kilometra, duke goditur me saktësi objektivat.
Startup-et po sfidojnë gjigantët
Ndryshe nga industria tradicionale e mbrojtjes, ku dominojnë kompani si Lockheed Martin apo Boeing, zhvillimi i dronëve të rinj po udhëhiqet gjithnjë e më shumë nga startup-e dhe kompani teknologjike.
Firma si Anduril dhe Project Eagle, të lidhura me figura të Silicon Valley, po prodhojnë sisteme të avancuara me kosto të ulët dhe kohë të shpejtë prodhimi, duke sfiduar modelin klasik të industrisë ushtarake.
Sekreti i suksesit të tyre qëndron në tre elemente kryesore:
- prodhim i shpejtë dhe fleksibil,
- përdorimi i komponentëve të teknologjisë së konsumit,
- integrimi i inteligjencës artificiale.
Evropa mbetet pas
Ndërkohë, Evropa po has vështirësi në përshtatjen me këtë ritëm të shpejtë zhvillimi. Procedurat burokratike dhe planet afatgjata të investimeve po ngadalësojnë inovacionin, duke i lënë kompanitë e reja pa mbështetje të mjaftueshme.
Megjithatë, disa kompani evropiane po fitojnë terren, sidomos në sektorin e dronëve zbulues dhe atyre kundër dronëve.
Lufta e së ardhmes është “e lirë”
Një nga fenomenet më të dukshme është përdorimi i dronëve të vegjël, të prodhuar me komponentë të thjeshtë apo edhe me printerë 3D, që kushtojnë vetëm 1,000–2,000 euro. Këto mjete, megjithëse të lira, po rezultojnë jashtëzakonisht efektive në fushëbetejë.
Megjithatë, zhvillimi i tyre përballet me një sfidë: inovacioni është aq i shpejtë sa modelet bëhen të vjetruara brenda pak muajsh, duke e bërë të vështirë planifikimin afatgjatë të prodhimit.La Repubblica

