Ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku në fokus është procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Takimi po zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku fillimisht ka mbërritur Kurti, ndërsa pak më vonë edhe Abdixhiku, i cili ka paralajmëruar se do të deklarohet për media pas përfundimit të bisedimeve.
Ky zhvillim vjen në një moment kyç politik, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës u ka dhënë deputetëve më shumë se një muaj kohë për zgjedhjen e presidentit të ri, pas rrëzimit të dekretit të ish-presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Kriza institucionale u thellua pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin në seancën e 5 marsit, duke e bërë këtë takim një hap të rëndësishëm drejt gjetjes së një zgjidhjeje politike.
Pritet që ky raund diskutimesh të përcaktojë nëse palët do të arrijnë kompromis apo vendi do të përballet me një ngërç të ri institucional.

