Marrëveshja për armëpushim mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nuk erdhi rastësisht, por pas një serie negociatash dramatike, telefonatash të tensionuara dhe presioni të madh diplomatik në orët e fundit, raporton Axios.
Në qendër të zhvillimeve ishte lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili – sipas burimeve – dha miratimin vendimtar për marrëveshjen, duke i hapur rrugë armëpushimit dyjavor me SHBA-në.
Sipas raportimit, momenti kyç ndodhi të hënën, kur Khamenei urdhëroi negociatorët iranianë të lëviznin drejt kompromisit, ndërsa ultimatumi i vendosur nga Donald Trump po i afrohej fundit dhe përgatitjet për një ofensivë të madhe ushtarake amerikane ishin në fazën përfundimtare.
Një zyrtar amerikan e përshkroi situatën me një fjali të vetme: “Ishte kaos”.
Në të njëjtën kohë, rajoni ishte në alarm maksimal – aleatët e SHBA-së përgatiteshin për kundërpërgjigje iraniane, ndërsa qytetarët në Iran po largoheshin nga shtëpitë nga frika e bombardimeve.
Negociatat u zhvilluan në një ritëm të ethshëm. I dërguari amerikan Steve Witkoff zhvilloi telefonata të shumta me ndërmjetësit, duke refuzuar fillimisht planin iranian me 10 pika si të papranueshëm. Draftet kalonin nga njëra palë tek tjetra përmes ndërmjetësve pakistanezë, ndërsa diplomatë nga Egjipti dhe Turqia përpiqeshin të afronin qëndrimet.
Në fund, SHBA pranoi një version të përditësuar të marrëveshjes dhe vendimi final iu la liderit iranian, i cili për arsye sigurie komunikonte vetëm përmes mesazheve të shkruara – një proces që e ngadalësoi, por edhe e bëri më delikat gjithë negociimin.
Ndërkohë, presioni mbi Trump ishte i madh. Brenda administratës së tij kishte ndarje: disa kërkonin refuzimin e marrëveshjes dhe goditje ushtarake, ndërsa të tjerë shtynin për diplomaci.
Në sfond, JD Vance dhe zyrtarë të tjerë zhvillonin kontakte intensive me ndërmjetësit, ndërsa kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu mbante komunikim të vazhdueshëm me Trump, i shqetësuar për zhvillimet.
Një rol kyç luajti edhe kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i cili publikoi kushtet e marrëveshjes dhe shtyu palët drejt pranimit.
Pak para finalizimit, Trump zhvilloi telefonata vendimtare – fillimisht me Netanyahun për të siguruar koordinimin, e më pas me shefin e ushtrisë pakistaneze, Asim Munir.
Menjëherë pas shpalljes së marrëveshjes në rrjetet sociale, forcat amerikane morën urdhër të ndalonin operacionet brenda vetëm 15 minutash – një sinjal i qartë se vendimi ishte marrë në sekondat e fundit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, konfirmoi se Teherani do ta respektojë armëpushimin dhe do të rihapë Ngushtica e Hormuzit.
Megjithatë, mbetet e paqartë se sa i qëndrueshëm do të jetë ky armëpushim. Sipas burimeve, SHBA pritet të kërkojë një marrëveshje më të gjerë që përfshin programin bërthamor dhe raketor të Iranit.
Bisedimet e radhës pritet të zhvillohen në Pakistan, por një gjë është e sigurt: paqja është ende e brishtë – dhe çdo hap i gabuar mund ta rikthejë rajonin sërish në prag të luftës.

