Një teknologji e avancuar dhe e klasifikuar, e njohur si “Ghost Murmur”, dyshohet se ka luajtur rol kyç në lokalizimin dhe shpëtimin e pilotit amerikan të rrëzuar në territorin iranian, raportojnë mediat amerikane.
Sipas New York Post, kjo teknologji përdor magnetometri kuantike për të zbuluar “gjurmën” elektromagnetike të rrahjeve të zemrës së njeriut, duke e bërë të mundur identifikimin e një personi edhe në kushte ekstreme dhe në distanca të mëdha.
Më pas, të dhënat përpunohen nga inteligjenca artificiale për të filtruar sinjalet jetike nga “zhurma” e ambientit – një proces që, sipas burimeve, mund të dallojë një individ të vetëm edhe në zona të gjera dhe të izoluara.
“Është si të dëgjosh një zë në një stadium gjigant – nëse zemra të rreh, ne mund të të gjejmë”, citohet të ketë thënë një burim i afërt me teknologjinë.
Raportohet se “Ghost Murmur” është zhvilluar nga njësia sekrete Skunk Works e kompanisë Lockheed Martin dhe është testuar më parë në helikopterë Black Hawk, me plane për integrim të ardhshëm edhe në avionët luftarakë F-35.
Ky ishte rasti i parë që teknologjia u përdor në një operacion real.
Piloti amerikan, i identifikuar si “Dude 44 Bravo”, kishte mbetur i bllokuar për dy ditë në një zonë malore në jug të Iranit, pasi avioni i tij F-15 ishte rrëzuar. Ai ishte në arrati, ndërsa kërkohej nga forcat iraniane.
Megjithëse ai kishte aktivizuar një pajisje sinjalizuese të vendndodhjes (CSEL) të prodhuar nga Boeing, pozicioni i tij i saktë mbetej i paqartë. Pikërisht këtu ndërhyri “Ghost Murmur”, duke bërë të mundur identifikimin e tij me saktësi.
Ekspertët theksojnë se kushtet në terren – ndërhyrje të ulëta elektromagnetike dhe kontrast i lartë termik – ishin ideale për përdorimin e kësaj teknologjie.
Emri “Ghost Murmur” nuk është rastësor: “murmur” i referohet ritmit të zemrës, ndërsa “ghost” simbolizon gjetjen e një personi që konsiderohet i zhdukur.
Ky zhvillim shënon një hap të ri në përdorimin e teknologjisë së avancuar në operacionet ushtarake dhe të inteligjencës – një botë ku, siç duket, edhe rrahjet e zemrës nuk mund të fshihen më.

