Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke vendosur që ai të vijojë të qëndrojë në qeli.
Me shumicë votash, gjyqtarët vlerësuan se ekzistojnë prova dhe informacione të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm për veprat penale për të cilat akuzohet Meta, duke e konsideruar të ligjshëm kufizimin e lirisë së tij.
Sipas vendimit, masa e sigurisë është vendosur për një qëllim të ligjshëm – garantimin e mbarëvajtjes së procesit penal – dhe nuk konsiderohet joproporcionale në raport me rrethanat e çështjes.
Gjykata Kushtetuese nuk mori në shqyrtim pretendimet e Metës lidhur me mënyrën e arrestimit në tetor 2024, duke argumentuar se kjo çështje është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Tiranës dhe duhet të kalojë më parë nëpër shkallët e tjera të gjyqësorit.
Pas vendimit, Meta reagoi ashpër, duke e cilësuar Kushtetuesen si “Gjykata e Lanës” dhe duke akuzuar institucionin për zvarritje të qëllimshme të çështjes për rreth gjashtë muaj, me qëllim vonimin e ankimit në Gjykatën e Strasburgut.
Ish-presidenti paralajmëroi se do të vijojë betejën ligjore në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku më 27 prill pritet të nisë gjykimi në themel ndaj tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë.
Meta akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie, ndërsa ka deklaruar se do të jetë i pranishëm në çdo seancë, duke e cilësuar procesin ndaj tij si të padrejtë.

