Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së çmimeve të naftës në Kosovë, duke e cilësuar situatën si “absurde” dhe në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Sipas saj, çmimet në tregun vendor rriten menjëherë sapo ka lajme negative nga tregjet ndërkombëtare, siç ishte rasti me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, por nuk reflektojnë uljet kur situata stabilizohet.
“Për t’u rritur çmimi mjafton një lajm, por për t’u ulur duhet kohë. Kjo nuk është logjikë tregu, ky është abuzim”, theksoi Bajrami.
Ajo akuzoi Qeverinë se po toleron këtë situatë dhe madje po përfiton financiarisht nga rritja e çmimeve, përmes taksave mbi karburantet. Sipas saj, për çdo litër naftë, buxheti i shtetit po inkason 13–15 cent më shumë sesa para krizës.
Bajrami ngriti shqetësimin edhe për mungesën e transparencës dhe të dhënave konkrete mbi tregun e naftës, duke pyetur se sa janë rezervat aktuale dhe me çfarë çmimi janë importuar ato.
Ajo theksoi se institucionet kanë mundësi të qarta për të ndërhyrë, por mungon vullneti politik. Si masa konkrete, propozon:
- raportim ditor për stokun dhe çmimet e importit,
- reflektim të menjëhershëm të luhatjeve të tregut,
- ulje të TVSH-së dhe akcizës për karburantet.
Sipas saj, nafta është një faktor kyç i inflacionit dhe çdo vonesë në stabilizimin e çmimeve vetëm sa e përkeqëson situatën ekonomike për qytetarët.

