Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se çdo përpjekje për të dëmtuar infrastrukturën nënujore të Mbretërisë së Bashkuar nuk do të tolerohet.
“Ne e shohim aktivitetin tuaj mbi kabllot dhe tubacionet tona… çdo përpjekje për t’i dëmtuar ato do të ketë pasoja serioze”, theksoi ai, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Kremlinit dhe presidentit Vladimir Putin.
Sipas autoriteteve britanike, nëndetëset ruse – përfshirë mjete spiune dhe sulmuese – janë monitoruar për javë të tëra nga Londra dhe aleatët e saj, përpara se të lëviznin në zonat e ndjeshme të Atlantikut verior.
Britania, në koordinim me Norvegjinë dhe partnerë të tjerë të NATO-s, ka shtuar vigjilencën ndaj asaj që e cilëson si “rritje të aktivitetit rus”, veçanërisht në një kohë kur vëmendja globale është zhvendosur drejt konfliktit në Lindjen e Mesme.
Zyrtarët britanikë theksojnë se këto zhvillime lidhen edhe me përfshirjen e Rusisë në kriza të tjera globale, përfshirë mbështetjen ndaj Iranit në teknologji ushtarake.
“Ne nuk do t’i heqim sytë nga Putini”, deklaroi Healey, duke nënvizuar se Rusia mbetet kërcënimi kryesor për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të saj.
Ndërkohë, Londra ka paralajmëruar edhe masa konkrete, përfshirë mundësinë e sekuestrimit të anijeve të ashtuquajtura të “flotës në hije” ruse, që dyshohet se përdoren për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare mbi eksportet e naftës.
Mes tensioneve në rritje, sinjali nga Londra është i qartë: çdo ndërhyrje në infrastrukturën kritike nënujore do të konsiderohet akt serioz me pasoja të rënda.