Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën zyrtare në Londër me një takim me Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ku u theksua forcimi i mëtejmë i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme britanike ndaj Kosovës, duke e cilësuar Mbretërinë e Bashkuar si partner kyç strategjik dhe duke u zotuar për thellim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Ai vuri në pah zhvillimet ekonomike në vend, duke theksuar rritjen e buxhetit dhe fokusin në sektorë si teknologjia dhe bujqësia, ndërsa nënvizoi edhe investimet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin ushtarak, përfshirë trajnimet dhe mbështetjen për Ukrainën.
Në planin politik dhe të sigurisë, Kurti theksoi synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, si garanci për stabilitet dhe zhvillim afatgjatë.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, duke përmendur praninë e bazave ushtarake pranë kufirit, si dhe përsëriti kushtet për vazhdimin e dialogut: dorëzimin e Milan Radoiçiqit, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Në takim u theksua se Kosova mbetet një partnere e besueshme për Mbretërinë e Bashkuar dhe për sigurinë në rajon, ndërsa bashkëpunimi mes dy vendeve pritet të thellohet në periudhën në vijim.

