Reperi kosovar Betim Januzi, i njohur me nofkën “Buta”, është arrestuar nga Policia e Kosovës pas një incidenti të ndodhur në Ferizaj.
Sipas raportimeve, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në një përleshje fizike ku janë përdorur edhe armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 11 prillit, rreth orës 20:25, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, afër zonës së njohur si “Eurogjigant”.
Policia ka bërë të ditur se fillimisht ka pranuar informacion për një rrahje në zhvillim, ndërsa pas ndërhyrjes në vendin e ngjarjes është konstatuar se përveç përleshjes mes dy personave, janë dëgjuar edhe të shtëna me armë.
Si pasojë e incidentit, një person ka pësuar lëndime trupore, por jo nga arma e zjarrit. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe tri gëzhoja.
Një person është shoqëruar në stacion policor, ndërsa i dyshuari tjetër është identifikuar dhe ndodhet në kërkim. Njësitë e hetimeve dhe forenzikës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke vazhduar punën për zbardhjen e plotë të rastit.
Ky nuk është rasti i parë që reperi përballet me ligjin. Në shtator të vitit 2025, ai ishte arrestuar pas një kontrolli policor dhe ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Hetimet për rastin e fundit janë në zhvillim.
