Një skenar që deri dje dukej i pamendueshëm, sot po diskutohet seriozisht në korridoret e politikës evropiane: çfarë ndodh nëse SHBA tërhiqet nga NATO?
Sipas raportimit të Wall Street Journal, liderët evropianë po hartojnë një plan alternativ për të mbajtur në këmbë arkitekturën e sigurisë në kontinent, edhe pa mbështetjen amerikane. Ideja është e qartë – një “NATO evropiane”, ku vendet e BE-së dhe aleatët e tyre marrin kontroll më të madh mbi komandën, logjistikën dhe kapacitetet ushtarake.
Ky plan ka marrë një shtysë të fortë pas ndryshimit të qëndrimit të Gjermanisë, e cila historikisht ka qenë e varur nga garancitë e sigurisë amerikane. Nën kancelarin Friedrich Merz, Berlini duket se po lëviz drejt një autonomie më të madhe ushtarake, duke hapur rrugën për një bashkëpunim më të gjerë me vende si Franca, Britania, Polonia dhe shtetet nordike.
Në thelb, plani synon të zëvendësojë gradualisht rolin dominues të SHBA-së në NATO, duke vendosur më shumë evropianë në pozita kyçe dhe duke rritur kapacitetet ushtarake të kontinentit. Kjo përfshin investime në fusha ku Evropa është ende prapa, si inteligjenca, transporti ajror ushtarak dhe mbrojtja kundër nëndetëseve.
Por rruga nuk është aspak e lehtë. NATO është ndërtuar mbi lidershipin amerikan – nga komandat më të larta deri te “ombrella” bërthamore që garanton sigurinë e Evropës. Pa SHBA-në, boshllëqet janë të mëdha dhe të rrezikshme.
Një nga debatet më të ndjeshme është pikërisht ai për mbrojtjen bërthamore. Ideja që Franca të zgjerojë kapacitetet e saj për të mbuluar edhe vende të tjera evropiane po hidhet në tavolinë, por mbetet politikisht dhe strategjikisht e komplikuar.
Në sfond të gjithë kësaj është edhe retorika e ashpër e Donald Trump, i cili ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë dhe ka vënë në pikëpyetje vetë angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s. Madje, ai e ka cilësuar aleancën si një “tigër prej letre”, duke rritur frikën në Evropë për një tërheqje të papritur amerikane.
Në këtë klimë pasigurie, Evropa po përpiqet të marrë fatin në duart e veta. Pyetja që mbetet pezull është: a është gati kontinenti të mbrohet vetë… apo kjo është thjesht një ëndërr e bukur në një botë gjithnjë e më të rrezikshme?

