Një fushatë e gjerë spiunazhi kibernetik e lidhur me Rusinë ka komprometuar qindra llogari emaili të zyrtarëve në Ukrainë, vendet e NATO-s dhe Ballkan, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë digjitale në rajon.
Sipas një analize të publikuar nga Reuters, hakerët kanë depërtuar në të paktën 284 llogari emaili gjatë periudhës shtator 2024 – mars 2026, ku mbi 170 prej tyre i përkasin prokurorëve dhe hetuesve në Ukrainë. Sulmet kanë pasur në shënjestër veçanërisht institucionet që merren me hetimin e korrupsionit dhe bashkëpunëtorëve të Rusisë.
Të dhënat janë zbuluar aksidentalisht nga vetë hakerët, të cilët kanë lënë të hapura serverët me materiale të vjedhura, duke u dhënë studiuesve të sigurisë një mundësi të rrallë për të analizuar operacionin. Sipas grupit kërkimor Ctrl-Alt-Intel, bëhet fjalë për një “gabim të madh operacional” që ekspozoi mënyrën e funksionimit të fushatës.
Operacioni i atribuohet një grupi të njohur si “Fancy Bear”, i lidhur me shërbimet e inteligjencës ruse, megjithëse disa ekspertë kanë shprehur rezerva për përfshirjen e drejtpërdrejtë të këtij grupi. Moska, nga ana e saj, ka mohuar çdo përfshirje në sulme të tilla.
Në Ukrainë, ndër institucionet e prekura përfshihen Prokuroria e Posaçme për Mbrojtjen, Agjencia e Menaxhimit të Pasurive (ARMA) dhe Qendra e Trajnimit të Prokurorëve në Kiev. Janë komprometuar gjithashtu llogari të zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe ish-drejtues të institucioneve kyçe të drejtësisë.
Sulmet nuk janë kufizuar vetëm në Ukrainë. Në Rumani janë komprometuar të paktën 67 llogari të Forcës Ajrore, përfshirë edhe struktura të lidhura me NATO-n. Në Greqi janë shënjestruar 27 llogari të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes dhe atashe ushtarakë jashtë vendit. Aktivitet i ngjashëm është raportuar edhe në Bullgari dhe Serbi, ku janë prekur zyrtarë, akademikë dhe personel ushtarak.
Ekspertët theksojnë se kjo fushatë tregon qartë përpjekjet e vazhdueshme të spiunazhit kibernetik për të depërtuar në institucionet kyçe dhe për të mbledhur informacione strategjike. Ata paralajmërojnë se edhe vendet me marrëdhënie më të afërta politike me Moskën nuk janë të imunizuara ndaj këtyre sulmeve.
Ky zhvillim vjen në një kohë tensionesh të larta gjeopolitike, duke e bërë sigurinë kibernetike një front po aq të rëndësishëm sa ai ushtarak.
