Edhe dy javë deri në afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit, institucionet dhe partitë politike vazhdojnë pa marrëveshje konkrete. Kryeministri Albin Kurti thotë se ka komunikim me opozitën, ndërsa kjo e fundit kërkon ftesë zyrtare dhe sqarim të qartë të procesit. Deri tani nuk është dërguar asnjë propozim formal.
Me vetëm dy javë të mbetura deri në afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit, skena politike në Kosovë mbetet pothuajse e ngrirë.
Pavarësisht deklaratave për komunikim dhe përpjekje për marrëveshje politike, nuk ka asnjë zhvillim konkret – as ftesë zyrtare, as propozime dhe as emra të dakorduar.
Afati i 28 prillit po afrohet, ndërsa mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme mbetet reale.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është në komunikim me opozitën, por pa dhënë detaje konkrete.
“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare, kur ka rezultate iu njoftojmë.”
Nga ana tjetër, PDK ka kërkuar formalizimin e procesit përmes një ftese zyrtare dhe sqarim të qartë të rrugës për zgjedhjen e presidentit.
Megjithatë, edhe pas dhjetë ditësh nga kjo kërkesë, nuk ka pasur as letër e as propozim nga Kurti apo Lëvizja Vetëvendosje.
Nga PDK, Enver Hoxhaj ka kritikuar qasjen e deritanishme të kryeministrit, duke e cilësuar procesin si të zvarritur dhe pa rezultat.
“Kur ka vullnet ka rrugë. Nëse ka vullnet zoti Kurti, natyrisht që ka rrugë. Jo 34 ditë, po 3 orë e 40 minuta.”
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca ka theksuar se pret propozime konkrete nga opozita, duke mos përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve.
“Shkojmë në zgjedhje të reja nëse është vullneti i opozitës. Nuk kemi çka të bëjmë, të shohim nëse mund të kemi konsensus për ndonjërin prej emrave të tyre.”
Edhe brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk ka sinjale për ndonjë marrëveshje të afërt me pushtetin. Sipas tyre, Kosova duhet të ketë president jashtë Lëvizjes Vetëvendosje, për të shmangur koncentrimin e pushtetit, përndryshe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Avdullah Hoti thekson se vetëm një president i tillë mund të garantojë balancën e pushteteve dhe të shmangë përqendrimin e pushtetit në duart e një force të vetme.
“Kosova duhet të ketë president që nuk është nga LVV-ja, një person me integritet të lartë personal, akademik e shoqëror, që ka prioritet kushtetutshmërinë dhe nuk e ka hallin e rizgjedhjes.”
Opozita vazhdimisht po shpreh skepticizëm ndaj mënyrës së zhvillimit të procesit.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e akuzon Kurtin për imponim të procesit.
“LVV-ja nuk po kërkon marrëveshje; ata po kërkojnë që opozita të qëndrojë në sallë për raundet e para… Kjo nuk është marrëveshje.”
Kritika më të ashpra vijnë nga ish-figura të Vetëvendosjes. Dardan Sejdiu vlerëson se mungesa e veprimeve konkrete tregon mungesë serioziteti.
“Nuk kanë interesim me komuniku me një njeri i cili nuk është në gjendje as një letër me dërgu. Kjo është hajgarallak çka është ka bën ky njeri.”
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i zyrës ligjore në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, tha se Gjykata Kushtetuese në vendimin e fundit ka sqaruar se nëse brenda 34 ditësh nuk zgjidhet presidenti i ri, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Sipas tij, Kushtetuta parasheh që zgjedhjet e reja të mbahen brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit. Nëse procesi shkon drejt zgjedhjeve, ato mund të mbahen në mesin e qershorit, rreth datave 7 ose 14 qershor, varësisht nga kalkulimi i afateve.

