Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prévot, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës, si para ashtu edhe pas luftës dhe pavarësisë, duke veçuar rolin e këtij shteti në strehimin e refugjatëve shqiptarë dhe kontributin në misionin paqeruajtës të KFOR-it.
Një theks i veçantë iu kushtua diasporës shqiptare në Belgjikë, e cila sipas Kurtit është e mirë-integruar dhe përbën një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve. Ai nënvizoi nevojën për krijimin e lehtësirave të reja që do të ndikonin në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve.
Kryeministri përmendi gjithashtu marrëveshjen e fundit për eliminimin e tatimit të dyfishtë, të nënshkruar në Washington DC, duke shprehur gatishmërinë për arritjen e marrëveshjeve të reja në sektorë të ndryshëm me Belgjikën.
Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë strategjike të Brukselit për Kosovën, si qendër politike evropiane, duke ritheksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet kryesor. Kurti shtoi se Kosova është e përkushtuar për avancimin e mëtejshëm drejt statusit të vendit kandidat, si dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit mes Kosovës dhe Belgjikës, me fokus të veçantë në zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.

