Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur mbështetje të plotë për kërkesat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke i cilësuar ato si legjitime dhe të domosdoshme për trajtim institucional.
Në një deklaratë zyrtare, AAK ka theksuar se kërkesat e paraqitura nga veteranët në komunikimin e 20 shkurtit duhet të adresohen pa vonesa dhe me prioritet nga institucionet e vendit, transmeton Klankosova.tv.
“Lufta Çlirimtare dhe sakrifica e atyre që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë përbëjnë një themel të panegociueshëm të shtetësisë dhe rendit demokratik. Çdo përpjekje institucionale duhet të jetë në përputhje me këtë realitet historik dhe moral”, thuhet në deklaratë.
Grupi Parlamentar i AAK-së ka renditur tri kërkesa kryesore që mbështet:
-Miratimin e Ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së;
-Vendosjen e pensioneve të veteranëve në nivelin e pagës minimale;
-Zbatimin e plotë dhe pa vonesa të ligjit ekzistues.
AAK bën të ditur se do të angazhohet për trajtimin prioritar të këtyre çështjeve në Kuvend, duke ftuar njëkohësisht të gjitha forcat politike për mbështetje të përbashkët.

