Pas takimit që pati me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, kryeministri i Kosovës tregoi se i ka shkruar edhe një partie tjetër për një ofertë. Pas shterimit të mundësive me partinë e Abdixhikut, Kurti tha se i ka dërguar një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Pas 53 ditësh përpjekjesh të vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje lidhur me presidentin e vendit, Kosova duket se po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare të parakohshme.
Këtë të hënë, kryeministri Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u takuan për herë të fundit në tentativë për të arritur një konsensus për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, mundi i tyre nuk rezultoi i suksesshëm, pasi nuk arritën të arrijnë një marrëveshje.
Më të përfunduar takimi i tyre, Abdixhiku deklaroi se LDK e konsideron të përmbyllur këtë proces dhe se nuk do të ketë më takime me Lëvizjen Vetëvendosje për shefin e shtetit.
“U dakorduam që të mos takohemi më, dhe s’kemi pse të takohemi sepse i harxhuam 53 ditë, s’patëm zgjidhje, prapë të takohemi edhe një herë e të flasim për president të Vetëvendosjes nuk ka kuptim. Prej këtij momenti, LDK-ja e konsideron të mbyllur këtë çështje”, u shpreh Abdixhiku.
Nga ana tjetër, kryeministri Kurti, para mediave, bëri të ditur se çfarë oferte i kishte bërë kryetarit të LDK-së, e cila u refuzua nga ky i fundit.
“E falënderoj Abdixhikun për bashkëpunimin mirëpo në të njëjtën kohë më duhet të konstatoj që bisedimet rezultuan të pasuksesshme për shkak se asnjëra prej ofertave nuk u pranua nga kreu i LDK-së. Fillimisht ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me VV-në dhe partnerët e tjerë që i kemi ne, ta këtë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendësi im të bëhet Abdixhiku”, deklaroi shefi i qeverisë.
Tani, roli i Partisë Demokratike të Kosovës bëhet kyç, për çka kryeministri theksoi se i ka dërguar një mesazh kryetarit të kësaj partie, Bedri Hamzës.
“I dërgova mesazh Bedri Hamzës dhe le ta shohim se çka është e mundur që të ecim përpara, propozimi unë që u refuzua nga LDK-ja ka qenë ekskluzive për LDK-në”, u shpreh Kurti.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, i ka reaguar ashpër kryeministrit Albin Kurti, i cili pasi dështoi të arrijë një marrëveshje me LDK-në, la të kuptojë se tash do ta provojë edhe me partinë e Bedri Hamzës, për një zgjidhje të mundshme për presidentin.

