Kryeministri Kurti ka pritur në takim ministrin e Tregtisë së Republikës së Turqisë, Ömer Bolat, ku në fokus ishte thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, Kurti vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Turqisë, duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që Ankaraja i ka dhënë Prishtinës ndër vite. Ai theksoi se në dekadën e fundit shkëmbimet tregtare janë dyfishuar, me një rritje të dukshme pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë.
Palët diskutuan mundësinë e zgjerimit të kësaj marrëveshjeje përtej mallrave, duke përfshirë edhe sektorët e shërbimeve si teknologjia e informacionit, transporti, logjistika dhe shërbimet financiare, ku Kosova synon të rrisë eksportin dhe praninë në tregjet ndërkombëtare.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte organizimi i Forumit të dytë Ekonomik Kosovë–Turqi, i cili pritet të mbahet në Prishtinë gjatë këtij viti, si dhe aktivizimi i Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar për të shtyrë përpara projektet konkrete bashkëpunuese.
Në kuadër të ndërlidhjes ekonomike globale, Kurti përmendi edhe synimin për hapjen e një linje të re ajrore mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e Turqisë, si një hap strategjik për zhvillimin ekonomik.
Kryeministri gjithashtu shprehu mirënjohje për presidentin Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar rolin e tij në mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën dhe forcimin e partneritetit mes dy vendeve.

