Një ide që tingëllon më shumë si skenar filmi sesa realitet ka hyrë në qarkullim në arenën ndërkombëtare: zëvendësimi i Iranit me Italinë në Kupën e Botës 2026.
Propozimi vjen nga Paolo Zampolli, i dërguar i presidentit amerikan Donald Trump në Itali, i cili i ka kërkuar FIFA dhe vetë Trump që “të kaltrit” të marrin vendin e Iranit në turne.
Argumenti? Italia ka katër tituj botërorë dhe një histori që – sipas tij – meriton një vend në kompeticion. Por në botën reale të futbollit, gjërat nuk funksionojnë kështu.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e bëri të qartë se Irani është i kualifikuar dhe ka të drejtë të marrë pjesë. Ndërkohë, vetë Irani ka konfirmuar se do të jetë në turne dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Pas kësaj ideje fshihet edhe një dimension politik. Propozimi shihet si një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet mes Trump dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, në një kohë tensionesh për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Por realiteti është brutal: Botërori nuk është tavolinë negociatash diplomatike. Kualifikimi fitohet në fushë, jo në korridore politike.
Në fund të ditës, kjo histori është një kujtesë e thjeshtë: futbolli mund të bashkojë botën, por politika gjithmonë përpiqet ta fusë këmbën brenda lojës. Dhe ndonjëherë… duket paksa qesharake. Burimi: /LaRepubblica

