Share:
Share
Tweet
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, në foltoren e Kuvendit foli për 16 euro e 41 centët e deklaruar nga kryeministri Albin Kurti në deklarimin vjetor të pasurisë së tij.
Ismaili tha se kjo shifër është hile e një njeriu që nuk jeton në varfëri dhe Kurtin ai e quajti “mishërim i një njeriu që ke jetuar e ushqyer me para të të tjerëve”.
“Ke qenë i financuar dje dhe je i financuar edhe sot. Prandaj, 16 euro e 41 centë apo çfarëdo shifër tjetër është e parëndësishme për këtë kryeministër. Varfëria është një maskë e pëlqyer për e një politikani populist, por jeta në një shtëpi të madhe me një qira të ulët e rrethuar me policë e me veturat më të mira të qeverisë, ky është realiteti yt”.
Ismaili tha se e ktheu këtë temë në Kuvend meqë kaloi “disi në heshtje” dhe tha se është një manipulim i rrezikshëm i përdorur nga Kurti.
“Po dua të flas për një shifër që nuk me ka lënë rehat që disa ditë. 16 euro e 41 centë. Qysh është e mundur që një shifër kaq e vogël të flasë kaq shumë, të pasqyrojë shumë? Të jetë kaq e dukshme, por të kalojë disi në heshtje. Ka një arrogancë në këtë shifër. Kjo shifër nuk është një shifër që ngjall pasigurinë për të, që ngjall ndjenjën e solidaritetit, që të bën të bashkëndjesh apo që gjeneron keqardhje. 16 euro e 41 centë e kryeministrit është një hile e një njeriu që jeton pa një kokëçarje financiare e që shtiret se jeta e tij është e vështirë e që po ia del e s’po ankohet. Manipulimi është një karakteristikë të rrezikshme dhe e dëmshme e secilit udhëheqës dhe 16 euro e 41 centë është moment klasik i manipulimit të varfërisë nga një njeri që nuk jeton në varfëri, por sillet si i tillë”, tha Ismaili.

