Kur kanë mbetur edhe 4 ditë deri në pëfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka aktivizuar “artilerinë” e portaleve fantazmë për të sajuar dhe dezinformuar publikun kosovar.
Qëllimi i vetëm makinerisë propagandistike të Vetëvendosjes është krijimi i një realiteti të gënjeshtërt se Kurti dhe partia e tij janë duke bërë çmos që të shmangin zgjedhjet, deri sa në prapaskenë janë duke përgatitur opsionet për keqpërdorimin e buxhetit shtetëror në funksion të blerjes së votave të kategorive të caktuara sociale të shoqërisë kosovare.
Pas refuzimit epik të Familjes Jashari që të përfshihet në “lojën e Presidentit” të kryeministrit Kurti, partia e tij ka provuar të manipulojë edhe me një emër tjetër nga kjo familje, si figurë e mundshme për postin e presidentit.
Bëhet fjalë për Gjeneral Bashkim Jashari, aktualisht Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilin, siç shkruajnë faqet fantazmë që s’kanë asnjë adresë redaksie, e ka takuar kryeministri Kurti.
Këto “mediume” edhe takimeve të mundshme zyrtare, për shkak të pozitave që mbajnë kryeministri Kurti dhe gjeneral Jashari, janë duke iu dhënë kahje që paraqesin keqpërdorim të emrit të familjes Jashari, në lojën e Vetëvendosjes për mbetjen në pushtet.
Ndonëse refuzimi i familjes Jashari ishte i qartë dhe përfundimtar në fund të muajit shkurt, faqet fantazmë nëpër rrjete sociale që propagandojnë për Vetëvendosjen, janë duke krijuar përshtypjen se kjo çështje nuk është mbyllur përfundimisht.
25 shkurt 2026 – Murat Jashari refuzon postin e presidentit: Familja Jashari i takon të gjithë shqiptarëve
Një prej emrave të përfolur fillimisht si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nga familja Jashari, ishte Murat Jashari, por i cili mbylli shpejt debatet e nxitura nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti.
Në një përgjigje për Vox Kosova më 25 shkurt, Murat Jashari e kishte bërë të qartë se s’ka ambicie për t’u përfshirë në politikë, sa herë që i është përmendur emri për këtë çështje. Ai ka thënë se nuk ka të drejtë as morale e as profesionale që ta përdor emrin e familjes Jashari për kalkulime politike apo për poste publike.
“Më shumë se gjithçka, për mu si Murat, është emri i familjes Jashari, është barrë e madhe mbi supe. S’kam të drejtë as morale e as profesionale me e fut emrin e familjes Jashari në kalukime politike apo për poste publike”, ka thënë Murat Jashari.
“Emri jem sa i përket kësaj çështje, çdo herë është përmendë, sa herë ka ardhë çështja e presidentit, emri im është përmendë. Ua kam sqaru protagonistëve që s’kam ambicie politike, pra gjeni një emër tjetër”, ka thënë ai për Vox Kosova. “I kam bërë të qarta arsyet pse nuk e bëjë”, ka thënë ai.
“Familja Jashari u takon të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë janë të tonit”, ka thënë Murat Jashari dhe ky qëndrim është mbështetur edhe nga Bekim Jashari, në të njëjtën ditë.

