Albin Kurti ka kërkuar angazhim më të madh nga faktori ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Beogradin zyrtar.
Deklaratat u bënë gjatë homazheve pranë Monumentit për Personat e Zhdukur me dhunë, ku Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadorë të akredituar në vend.
Sipas tij, edhe pas më shumë se dy dekadash, mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur. Ai theksoi se institucionet e Kosovës, përfshirë Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Policia e Kosovës, janë të angazhuara maksimalisht për zbardhjen e fatit të tyre.
“Ne i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar për të zbardhur të vërtetën, sepse ata e dinë se ku ndodhen të zhdukurit dhe mbajnë përgjegjësinë”, deklaroi Kurti.
Ai përmendi edhe ekzistencën e varrezave masive në territorin e Serbisë, duke theksuar se vetëm një pjesë e tyre janë zbuluar deri më tani. Sipas tij, mungesa e bashkëpunimit nga pala serbe po e vështirëson procesin e zbardhjes së së vërtetës.
Kurti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e drejtësisë, duke theksuar se Kosova tashmë ka bazë ligjore për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës ka mbështetjen e plotë të qeverisë.
Ai paralajmëroi se koha është faktor kritik, pasi shumë dëshmitarë janë në moshë të shtyrë, gjë që e bën edhe më urgjente ndjekjen dhe ndëshkimin e përgjegjësve për krimet e luftës.

