Pushteti dhe opozita kanë polemizuar lidhur me seancën e jashtëzakonshme për diskutime për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, e cila është caktuar të mbahet sot, në orën 17:00.
Kuvendi do të mbajë sot në orën 17:00 një seancë të jashtëzakonshme për çështjen e Presidentit.
Sipas ftesës që kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ua ka bërë deputetëve, thuhet se në rend dite do të jetë vetëm një pikë: “Diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.
Kryeministri Albin Kurti sot në dy raste nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me çështjen e Presidentit.
LVV-ja ka kërkuar nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, si propozim “konkret dhe përbashkues” për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po rrezikon ta çojë vendin sërish në zgjedhje.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ia paraqiti në fundjavë Albin Kurtit emrin e Vjosa Osmanit dhe i kërkoi kryeministrit garanci se 66 deputetë të mazhorancës do ta votonin atë.
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se mungesa e marrëveshjes politike po e çon vendin në një situatë të re.
“Unë nuk e di ‘zanzibarin’, por e di që Kosova nuk ka pasur kurrë krizë të tillë për zgjedhjen e presidentit. Hera e parë që vendi po shkon në zgjedhje për shkak të mungesës së konsensusit”, ka thënë Tahiri.
Deputetja nga radhët e LDK’së, Doarsa Kica Xhelili, e ka quajtur “propagandë” këtë rend dite.
“Papapapa, prap propagandë! VV paska ftu seancë per “diskutim për Presidentin”! Pse diskutim? Nuk diskutohet për President. Votohet! Shoë po doni a? S’ka më shoë!”, është shprehur Kica Xhelili.
Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj ka thënë se në Kuvend nuk diskutohet për zgjedhjen e presidentit, por se sillen emra dhe votohen.
“Si është e mundur të thirret një seancë në orën 17 dhe pikë e rendit të ditës është të diskutohet për presidentin. Në parlament nuk diskutohet për presidentit por sillen emrat dhe votohen”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ka bërë ofertë dy subjekteve kryesore në opozitë, Partisë Demokratike (PDK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK) që t’i ofrojnë tri propozime për president dhe ka dhënë zotimin për t’i ofruar nënshkrimet për t’i formalizuar kandidaturat e edhe për të votuar njërin nga kandidatët. Ofertën e ka publikuar të shtunën, tri ditë përpara se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën. Vetë Konjufca më pas ka deklaruar se do të tërhiqte kandidaturën, nëse opozita del me një kandidat konsensual.
Më 6 mars, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.
Gjykata më e lartë në Kosovë tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit.
Nesër përfundon afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërkohë që partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

