Kuvendi i Kosovës është shpërndarë pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Në përfundim të seancës, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu njoftoi se, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë automatikisht.
“Sipas aktgjykimit, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë”, deklaroi ajo në mesnatë.
Pak para përfundimit të afatit, kryeministri Albin Kurti u shpreh se situata kishte arritur në një pikë pa kthim.
“Ndodhemi në këtë pikë në të cilën s’kemi çfarë të bëjmë më shumë”, tha ai, duke akuzuar opozitën për mungesë bashkëpunimi dhe refuzim të ofertave të mazhorancës.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e deputetëve opozitarë në sallë, duke thënë se kjo sjellje duhet të reflektohet nga votuesit e tyre.
Seanca e 28 prillit dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët e opozitës bojkotuan procesin, duke pamundësuar votimin për kandidatet Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 25 marsit, në rast të dështimit për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi duhet të organizojë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Me këtë zhvillim, Kosova hyn në një tjetër cikël zgjedhor, në një klimë të thelluar përplasjesh politike dhe paqartësie institucionale.

