Ish-deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, ka deklaruar se kthimi i ish-presidentes Vjosa Osmani në këtë parti tashmë është një fakt i kryer.
Duke folur në emisionin “Këndi i Debatit”, Ymeri u shpreh se ekziston një konsensus i gjerë brenda LDK-së për rikthimin e Osmanit, edhe pse mënyra dhe forma e rikthimit ende nuk janë të qarta.
“Mendoj që është fakt i kryer dhe konsensusi ekziston. Znj. Osmani ka derën hapur dhe ka një pajtim të përgjithshëm për kthimin e saj. Se si do të ndodhë konkretisht, kjo mbetet për t’u parë”, deklaroi ajo.
Sipas Ymerit, rikthimi i Osmanit mund të interpretohet edhe si një reflektim apo pendesë politike për zhvillimet e kaluara.
Këto deklarata vijnë pas takimit mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Osmanit, të cilët për media e cilësuan atë si një “kafe miqsh”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Më herët, Abdixhiku kishte paralajmëruar bashkimin e së djathtës dhe rikthimin e figurave të larguara nga LDK, duke mos e përjashtuar Osmanin si pjesë të këtij procesi.
Ndërkohë, edhe vetë Osmani ka deklaruar se pas përfundimit të mandatit presidencial do të vazhdojë angazhimin në politikë, çka ka shtuar spekulimet për një rikthim të mundshëm në skenën partiake.

