Gjermania ka propozuar një paketë reformash me gjashtë pika për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe mënyrën e vendimmarrjes brenda Unionit, duke kërkuar heqjen e parimit të unanimitetit dhe kalimin në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar.
Propozimi u prezantua në Berlin nga ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, gjatë një fjalimi në Fondacionin Konrad Adenauer. Sipas tij, sistemi aktual i vetos po bllokon funksionimin e Bashkimit Evropian dhe po pengon zgjerimin e mëtejshëm të bllokut.
Nëse miratohet, reforma do t’i hapte rrugë integrimit më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, pasi shtetet anëtare nuk do të mund të bllokonin më procesin e anëtarësimit përmes vetos individuale.
Wadephul deklaroi se “një shumicë e kualifikuar mund ta bëjë BE-në më funksionale në fushat ku aktualisht ka mbetur në ngërç”, duke shtuar se 12 shtete anëtare tashmë e mbështesin këtë ndryshim.
Ai përmendi si shembull bllokimin e fondit prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën nga Hungaria, duke argumentuar se “mjafton devijimi i disa individëve për të bllokuar vendimmarrjen e të gjithëve”.
Ministri gjerman propozoi gjithashtu reforma të tjera, përfshirë:
- anëtarësim gradual në BE për vendet kandidate;
- forcim të mekanizmave që lidhin fondet europiane me sundimin e ligjit;
- zvogëlim të burokracisë në institucionet europiane;
- reduktim të numrit të komisionerëve europianë;
- reformim të Parlamentit Europian.
Sipas Wadephul, zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të ndodhë me faza dhe jo përmes një procesi të vetëm final, duke e cilësuar këtë si mënyrën më efektive për të kapërcyer rezistencën ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës.

