Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Përfaqësuesen Rajonale të UNHCR-së për Evropën Qendrore, Nicole Epting, me të cilën ka diskutuar për çështjet që lidhen me refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe personat pa shtetësi.
Sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë takimit u trajtuan përgjegjësitë institucionale dhe ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të këtyre kategorive, me theks të veçantë në qasjen humane dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Kurti e njoftoi përfaqësuesen e UNHCR-së me politikat dhe programet që po zbatohen nga institucionet e Kosovës për mbështetjen e refugjatëve dhe personave të zhvendosur, duke përfshirë strehimin, mbështetjen sociale dhe qasjen në shërbime publike.
Gjatë bashkëbisedimit u theksua se trajtimi i këtyre çështjeve duhet të mbetet i udhëhequr nga parimet e solidaritetit humanitar dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, duke e vendosur qytetarin në qendër të politikave publike.
Në takim u diskutua edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Kurti tha se ende figurojnë 1,565 persona të zhdukur nga lufta e fundit dhe nënvizoi nevojën për zbatimin e plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel.
Ai kërkoi gjithashtu hapjen e arkivave nga Serbia, përfshirë arkivin e Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, i cili sipas tij vazhdon të mbetet i klasifikuar deri në vitin 2044.
