Kandidati i Partia Demokratike e Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, i ka bërë thirrje Fatmir Limaj që ta mbështesë PDK-në në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Deklarata e Hamzës vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës refuzoi përfshirjen e Limajt në listën e kandidatëve për deputetë, duke theksuar se vendimi ishte marrë nga kryesia e partisë.
Pavarësisht kësaj, Hamza tha se mbështetja e Limajt për PDK-në do të mund të hapte rrugë për bashkëpunime të ardhshme politike dhe institucionale.
“Presim, i ftojmë, i lusim që ata të na përkrahin që ne të rritemi në vota dhe kjo është e matshme. Normalisht rezultati më i mirë për PDK-në pastaj hap rrugë për bashkëpunime edhe në nivel të institucioneve, por edhe të përfshirjes të Limajt dhe të tjerëve që duan të jenë pjesë e PDK-së”, deklaroi Hamza.
Zhvillimet vijnë në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ku partitë politike po finalizojnë listat dhe aleancat elektorale.

