Presidenti amerikan Donald Trump është përballë vendimeve kyçe për Iranin, ndërsa administrata e tij po shqyrton mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake nëse dështon zgjidhja diplomatike e krizës në Lindjen e Mesme. Kjo sipas një raportimi të The New York Times, i cili zbulon se përgatitjet ushtarake kanë vazhduar edhe gjatë armëpushimit.
Sipas raportit, Trump ende nuk ka marrë një vendim final, por këshilltarët e tij të sigurisë kanë përgatitur skenarë të gatshëm për një përshkallëzim të ri ushtarak kundër Iranit.
Gjatë kthimit nga vizita në Kinë, Trump e cilësoi të papranueshme ofertën më të fundit për paqe nga Teherani.
“E pashë dhe nëse nuk më pëlqen fjalia e parë, thjesht e hedh poshtë”, deklaroi ai.
Raportohet se Pentagoni është duke përgatitur rifillimin e operacionit ushtarak të pezulluar muajin e kaluar, me mundësi që ai të rinisë edhe me një emër të ri operacional.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka konfirmuar para Kongresit se ekzistojnë plane konkrete për përshkallëzim nëse situata e kërkon.
Sipas zyrtarëve të cituar nga NYT, SHBA-ja dhe Izraeli kanë intensifikuar përgatitjet ushtarake për një valë të re sulmesh, potencialisht që javën e ardhshme.
Opsionet që po shqyrtohen përfshijnë:
- bombardime më agresive ndaj objektivave ushtarake iraniane;
- goditje ndaj infrastrukturës strategjike;
- operacione speciale tokësore për të neutralizuar material bërthamor në objektet nëntokësore iraniane.
Raporti thekson se qindra trupa speciale amerikane janë vendosur në Lindjen e Mesme që nga marsi, pikërisht për të qenë të gatshme për një skenar të tillë.
Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se është i përgatitur për çdo zhvillim.
“Kushdo që zgjedh strategji të gabuara, do të përballet me pasoja të gabuara”, ka deklaruar kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf.
Sipas vlerësimeve amerikane, pavarësisht sulmeve të mëhershme, Irani ka rikthyer funksionalitetin në shumicën e bazave raketore dhe objekteve strategjike, përfshirë 30 nga 33 bazat raketore pranë Ngushticës së Hormuzit.
Aktualisht në rajon ndodhen mbi 50 mijë trupa amerikane, dy aeroplanmbajtëse, dhjetëra avionë luftarakë dhe anije luftarake, të gatshme për operacione të mundshme.
Kriza mbetet e hapur, ndërsa një vendim i Trump mund të përcaktojë nëse Lindja e Mesme hyn sërish në një fazë të re lufte.

