Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Kaçanik, ka njoftuar se shkronjat simbolike të UÇK-së, të vendosura te Guri i Shpuar, janë dëmtuar rëndë nga persona të panjohur.
Sipas njoftimit, pas raportimit të rastit, Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur trajtimin e rastit për të identifikuar autorët.
OVL e UÇK-së në Kaçanik ka shprehur reagim të ashpër ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si një akt të papranueshëm.
“Shprehim indinjatën e thellë për këtë akt barbar dhe e dënojmë ashpër. Kushdo që qëndron pas kësaj vepre të ndytë duhet të përballet me drejtësinë”, thuhet në reagimin e degës së veteranëve.
Ky incident ka ngjallur reagime në Kaçanik, ndërsa pritet që hetimet policore të zbardhin rrethanat dhe autorët e dëmtimit.

