Franca ka refuzuar publikisht idenë që NATO të përfshihet në një mision ndërkombëtar për garantimin e sigurisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret detare më strategjike për tregtinë globale të naftës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze, Pascal Confavreux, e bëri të qartë pozicionin e Parisit gjatë konferencës javore për media.
“Synimi ynë është i qartë dhe i qëndrueshëm. Traktati i Atlantikut të Veriut ka të bëjë me Atlantikun e Veriut dhe jo me Lindjen e Mesme,” deklaroi ai.
Qëndrimi francez vjen në një moment kur po diskutohen skenarë për krijimin e një force ndërkombëtare që do të siguronte lirinë e lundrimit në Hormuz, pas tensioneve të shtuara në rajon dhe shqetësimeve për sigurinë e transportit energjetik.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet pikë kritike globale, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e eksporteve botërore të naftës dhe gazit.
Mesazhi i Francës është i qartë: siguria në Lindjen e Mesme nuk duhet të shndërrohet automatikisht në mision të NATO-s.
Ky pozicion sinjalizon edhe dallime brenda aleatëve perëndimorë për mënyrën se si duhet menaxhuar kriza në rajon.

