Kombëtarja shqiptare e futbollit po hyn në një fazë të re organizimi pas përfundimit të ciklit të trajnerit Silvinjo. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka zyrtarizuar ndryshime të rëndësishme në stafin teknik të kuqezinjve, duke konfirmuar largimin e disa emrave të njohur.
Gjatë një ceremonie të organizuar për të nderuar Silvinjon dhe bashkëpunëtorët e tij, Duka njoftoi se përveç stafit të trajnerit brazilian, ndryshime do të ketë edhe në pozita të tjera të rëndësishme të ekipit kombëtar.
“Do të doja të falënderoja Ilir Bozhiqin për kontributin e tij në ekipin Kombëtar, për më shumë se 3 vite, për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij. Do të doja të falënderoja edhe Luka Laurentin dhe Alariko Rosin, të cilët gjithashtu do të zëvendësohen”, deklaroi Duka.
Një nga largimet më domethënëse është ai i Ilir Bozhiqit, i cili konsiderohet si një nga figurat më jetëgjata të stafit kuqezi. Ai kishte shërbyer si trajner i portierëve që nga periudha kur Kombëtarja drejtohej nga Josip Kuzhe, duke qenë një prej emrave më të qëndrueshëm ndër vite.
Ndërkohë, Luka Laurenti ka ushtruar detyrën e përgatitësit atletik të ekipit kombëtar, ndërsa Alariko Rosi ishte pjesë e sektorit të analizës, fillimisht i afruar gjatë periudhës së Kristian Panuccit dhe më pas i emëruar si drejtues i Departamentit të Analizës dhe Inovacionit në FSHF.
Me ardhjen e trajnerit të ri Rolando Maran, Kombëtarja shqiptare pritet të nisë një cikël tërësisht të ri, jo vetëm në aspektin teknik, por edhe në përbërjen e stafit mbështetës.
Mbetet ende e paqartë se kush do t’i zëvendësojë emrat e larguar dhe nëse FSHF do t’u ofrojë atyre role të tjera brenda institucionit.

