Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka takuar ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ku ka theksuar nevojën që partitë politike të tregojnë kompromis pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në një postim në Facebook ka shkruar se gjatë takimit është theksuar rëndësia që legjislatura e re pas zgjedhjeve, të jetë në gjendje të zgjedhë presidentin, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja dhe humbja e mundësive për Kosovën.
“Theksova nevojën që partitë politike të tregojnë kompromis për të shmangur një skenar të tillë. Gjithashtu diskutuam edhe abuzimin e papranueshëm ndaj grave politikane në rrjetet sociale dhe shprehëm shpresën që të gjithë liderët partiakë ta bëjnë të qartë se një gjuhë e tillë është e papranueshme”, thuhet në njoftim.
Shtetasit e Kosovës me të drejtë vote do t’u drejtohen kutive të votimit më 7 qershor. Këto zgjedhje do të jenë të tretat parlamentare brenda 16 muajve.
Kostoja e organizimit të këtij procesi zgjedhor do të jetë 10 milionë e 887 mijë euro.
Madje vazhdimisht konsideronte se ngërçi politik po i kushton vendit që të ketë “zë të plotë e të besueshëm” në arenën ndërkombëtare dhe po bllokon prioritetet jetike nga buxheti deri te reformat.
Përveç tjerash Hargreaves konsideron “zhgënjyese dhe shqetësuese” që dialogu me Serbinë po ecën ngadalë për shkak të mungesës së institucioneve në Kosovë dhe zhvillimeve politike në Serbi.

