Saga e autostradës së Gjilanit duket se po zgjatet më shumë se telenovela ‘100 Vitrinat’. Nga viti 2021, në 2023, dy herë brenda vitit 2025 e tash sërish në 2026, Albin Kurti është “lodhur” së ngarendur me premtimin se ky projekt infrastrukturor do të bëhet, raporton Klankosova.tv.
Tash e disa vjet qeverisje nga Lëvizja Vetëvendosje, synimi për finalizimin e kësaj rruge është përshkruar nga shumë vonesa e fare pak punë. Në çdo palë zgjedhje, partia e Kurtit, e bartte këtë zotim nga një program elektoral në tjetrin.
Autostrada nuk është bërë, por premtimi për të është përsëritur edhe kësaj radhe.
Premtimi i fundit
Në prezantimin e plan programit për zgjedhjet e 7 qershorit, Kurti foli për ato që i quajti projekte të mëdha infrastrukturore, ku ndër të parat përmendi autostradën e Gjilanit, pa dhënë megjithatë një përgjigje konkrete pse projekti është zvarritur kaq gjatë.
Megjithatë, ai premtoi sërish përfundimin e saj, raporton Klankosova.tv.
“Projektet e mëdha infrastrukturore janë lidhja me korridoret kryesore rrugore. Përfundojmë autostradën e Gjilanit deri te Dheu i Bardhë dhe kyçjen në korridorin 1. Përfundojmë rrugën që e lidh Prizrenin me Tetovën. Fillon ndërtimi i magjistrales së Dukagjinit, e cila lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën dhe Deçanin me Pejën e Istogun. Rrugët Dollc-Gjakovë dhe Kijevë-Zahaq, po finalizohen krahas rehabilitimit dhe modernizimit të të gjitha rrugëve rajonale.” – tha Kurti.
Premtimet e 2025-ës
Ky zotim u rikthye edhe në dhjetor të vitit të kaluar, në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Kurti e ripërsëriti këtë premtim, bile para gjilanasve, në një tubim dy ditë para zgjedhjeve, por as atëherë nuk sqaroi pse projekti nuk u realizua.
Brenda të njëjtit vit, 10 muaj më herët, më 3 shkurt 2025, ai e kishte dhënë sërish premtimin e vjetër, që mbeti pa rezultat konkret, raporton Klankosova.tv
Premtimi në vitin 2023
Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe më 22 korrik 2023, kur deklaronte me bindje se autostrada “po bëhet”.
“Të dashur qytetar, autostrada e Gjilanit do të bëhet. Dhe atë deri te Dheu i Bardhë, Stadimun e Gjilanit gjithashtu do ta bëjmë.” – kishte thënë Kurti.
Bile kryetari i kësaj komune që vjen nga radhët e Vetëvendosjes krenohej se projekti tashmë kishte marrë vëmendjen e pushtetit qendror, për dallim nga “qeveritë e kaluara” – një argument që VV-ja e ka përdorur shpesh kur është kritikuar për mungesë rezultatesh, transmeton Klankosova.tv
Premtimi në vitin 2021
Autostrada ishte përfshirë edhe në programin qeverisës 2021–2025 të Qeverisë Kurti, ku parashihej përfundimi i saj.
“Do të përfundojmë projektet ekzistuese infrastrukturore, si ndërtimin e segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë – Gjilan, zgjerimi i rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe autoudhën Kijev-Zahaq, do të zbatojmë projektet e reja si zgjerimi i rrugëve nacionale Istog- Pejë- Deçan – Gjakovë – Prizren, përfshirë rrugët qarkore, rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël – Shtime- Ferizaj, që lidhet me autostradën Prishtinë – Shkup, si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë dhe Gjilan – Kumanovë”.

