Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga 1 qershori 2026 do të hyjë në fuqi kufizimi i ri për pagesat në para të gatshme mbi shumën 2 mijë euro në transaksionet me individë.
Sipas njoftimit të ATK-së, pagesat që tejkalojnë këtë vlerë nuk do të lejohen të realizohen me para të gatshme, por duhet të kryhen përmes sistemit bankar ose formave të tjera elektronike të pagesës.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të respektojnë kufizimet e përcaktuara me ligj, me qëllim shmangien e sanksioneve dhe gjobave të mundshme.
“Mos paguani cash mbi limitin e lejuar. Veproni sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Ky ndryshim synon rritjen e transparencës financiare, forcimin e kontrollit të transaksioneve dhe reduktimin e ekonomisë joformale.

