Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se negociatat me Iranin po vazhdojnë, por Uashingtoni ende nuk është i kënaqur me kushtet e propozuara për një marrëveshje të mundshme.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Trump tha se Teherani po përpiqet maksimalisht për të arritur një akord, megjithatë sipas tij, oferta aktuale nuk i përmbush pritjet amerikane.
“Deri tani nuk kanë arritur aty ku duhet dhe ne nuk jemi të kënaqur”, u shpreh Trump, duke paralajmëruar se SHBA-ja mund të rifillojë sulmet nëse nuk arrihet marrëveshje.
Deklarata vjen pasi televizioni shtetëror iranian publikoi detaje të një draft-marrëveshjeje, ku pretendohej se SHBA do të hiqte bllokadën detare ndaj porteve iraniane dhe do të tërhiqte forcat amerikane nga rajoni. Në këmbim, Irani do të rikthente lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë këto raportime, duke i cilësuar si “trillim të plotë”.
Trump tha se synon një marrëveshje që i shërben interesave amerikane dhe minimizoi ndikimin politik që mund të ketë konflikti në zgjedhjet e ardhshme në SHBA.
“Nuk më interesojnë zgjedhjet e mesit të mandatit. Njerëzit e kuptojnë këtë”, deklaroi ai.
Presidenti amerikan mohoi gjithashtu pretendimet për lehtësim të sanksioneve ndaj Iranit apo transferim të uraniumit të pasuruar iranian drejt Rusisë apo Kinës.
“Jo, nuk do të ndihesha rehat”, tha Trump, kur u pyet nëse Moska apo Pekini mund të merrnin uranium të nivelit për armë bërthamore.
Trump theksoi gjithashtu se marrëveshja me Iranin mund të mos finalizohet nëse disa vende të Lindjes së Mesme nuk bashkohen me Marrëveshjet e Abrahamit, iniciativa amerikane për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.
“Nuk jam i sigurt nëse duhet ta bëjmë marrëveshjen nëse ata nuk e nënshkruajnë”, shtoi ai.

