Një skandal i pazakontë ka goditur CIA, pasi një agjent i saj është arrestuar nën dyshimet se ka vjedhur qindra shufra ari nga depot e agjencisë amerikane të inteligjencës.
Sipas raportimeve, i dyshuari është identifikuar si David Rush, i cili dyshohet se gjatë periudhës nëntor–mars ka marrë sasi të mëdha ari dhe i ka fshehur në banesën e tij në Virginia.
Hetuesit federalë kanë gjetur:
- qindra shufra ari me peshë rreth 1 kilogram secila,
- shuma të konsiderueshme parash,
- si dhe 35 ora luksoze, shumica të markës Rolex.
Vlera paraprake e pasurisë së sekuestruar llogaritet në rreth 40 milionë dollarë, megjithëse autoritetet dyshojnë se mund të ekzistojnë edhe vende të tjera ku është fshehur ari.
Sipas raportimit të The Washington Post, Rush kishte punuar në Divizionin Teknik të CIA-s, një sektor shumë i ndjeshëm që merret me zhvillimin e pajisjeve të sofistikuara për operacione spiunazhi. Pikërisht pozicioni i tij dyshohet se i ka dhënë akses te materialet me vlerë të lartë.
Një tjetër detaj që ka tronditur hetuesit është fakti se Rush kishte falsifikuar kredencialet gjatë procesit të rekrutimit. Ai pretendohej se kishte qenë pilot i Marinës amerikane dhe kishte kryer studime universitare, pretendime që rezultuan të rreme vetëm pas verifikimeve të mëvonshme.
Rasti ka ngritur pikëpyetje serioze mbi procedurat e sigurisë dhe kontrollit brenda CIA-s, sidomos për mënyrën se si një zyrtar arriti të ketë akses në një sasi kaq të madhe ari pa u zbuluar për muaj të tërë. Burimi:Corriere della Sera.

