Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë bërë të ditur nisjen e procesit për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, një strukturë e re e sigurisë që synon të mbulojë boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në një konferencë të përbashkët për media, Kurti deklaroi se situata e sigurisë në Kosovë dhe rajon ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit, duke përmendur kërcënimet nga grupet e armatosura paraushtarake, kontrabanda ndërkufitare, përdorimi i dronëve dhe sulmet ndaj institucioneve të Kosovës.
“Xhandarmëria do të ketë mandat të qartë për sigurimin e kufijve tokësorë, ujorë dhe ajrorë, luftimin e kontrabandës, operacionet kundër grupeve terroriste dhe menaxhimin e situatave me rrezik të lartë”, tha Kurti.
Sipas tij, sulmet në veri të Kosovës, përfshirë sulmin terrorist në Banjska dhe incidentin në Ibër-Lepenc, kanë treguar nevojën për një forcë të specializuar me kapacitete më të avancuara operacionale.
Kurti theksoi se modeli i Xhandarmërisë bazohet në praktika të shteteve evropiane si Franca, Italia, Spanja, Portugalia dhe Turqia, të cilat tashmë kanë struktura të ngjashme sigurie.
Ai bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar një grup punues për analizimin e të gjitha aspekteve të krijimit të kësaj force, ndërsa ligji për themelimin e saj pritet të procedohet në legjislaturën e re pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit 2026.

