Gjeneral Brigade Chris McKinney, zëvendësdrejtor për Strategji, Plane dhe Politika në Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (EUCOM), ka zhvilluar vizitën e tij të fundit zyrtare në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës është takuar me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Sipas njoftimit të EUCOM-it, takimi shërbeu për të vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy institucioneve dhe për të konfirmuar vazhdimin e mbështetjes amerikane për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
McKinney falënderoi komandantin Jashari për vitet e koordinimit dhe bashkëpunimit, duke theksuar se puna e përbashkët ka kontribuar në forcimin e kapaciteteve parandaluese ndaj kërcënimeve që prekin Evropën Juglindore.
“Përparimi që kemi arritur së bashku pasqyron forcën e përkushtimit tonë të përbashkët për një Evropë Juglindore të sigurt, stabile dhe të begatë”, deklaroi McKinney gjatë takimit.
Në njoftim thuhet se takimi riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan vjen në një periudhë kur Kosova po intensifikon procesin e transformimit dhe avancimit të kapaciteteve të saj mbrojtëse, ndërsa bashkëpunimi me SHBA-në mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të sektorit të sigurisë në vend.

