Fenomeni i braktisjes së foshnjave vazhdon të mbetet shqetësues në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2025, në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë regjistruar 32 raste të foshnjave të braktisura, ndërsa që nga fillimi i këtij viti janë evidentuar edhe dy raste të tjera.
Njëra nga foshnjat e braktisura gjatë muajit maj vazhdon të jetë nën përkujdesjen e stafit të Klinikës së Neonatologjisë, teksa institucionet përkatëse po punojnë për gjetjen e një familjeje strehuese ose një zgjidhjeje tjetër sociale.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina, ka bërë të ditur se deri më tani gjatë vitit 2026 janë regjistruar dy raste të braktisjes së foshnjave.
“Kemi pasur vetëm dy raste deri në këtë periudhë, një në muajin shkurt dhe një në muajin maj, i cili ende ndodhet në klinikë dhe është nën përkujdesjen e stafit tonë. Presim që Qendra për Punë Sociale e komunës përkatëse të sigurojë një vendstrehim ose familje strehuese për foshnjën”, ka deklaruar Morina.
Mbi gjysma u ribashkuan me familjet biologjike
Sipas të dhënave të Klinikës së Neonatologjisë, nga 32 rastet e regjistruara gjatë vitit 2025, në 19 prej tyre është arritur ribashkimi me familjet biologjike pas ndërhyrjes së institucioneve sociale dhe kontakteve me prindërit.
Ndërkohë, 12 foshnja kanë vazhduar jetën nën përkujdesjen e Qendrave për Punë Sociale.
“Në bashkëpunim me ndërmjetësuesen sociale të klinikës, Qendrat për Punë Sociale dhe familjarët, kemi arritur që 19 foshnja t’i ribashkojmë me prindërit biologjikë. Ndërsa 12 raste kanë vazhduar nën kujdesin e QPS-së”, ka shtuar Morina.
Shkaqet: probleme sociale, ekonomike dhe psikologjike
Drejtori i klinikës thekson se fenomeni i braktisjes së foshnjave është kompleks dhe lidhet me një sërë faktorësh, përfshirë vështirësitë ekonomike, problemet sociale dhe psikologjike, si dhe rastet kur familjet refuzojnë pranimin e foshnjës për shkak të moshës së re të nënës.
Klinika e Neonatologjisë kujdeset për foshnjat e braktisura gjatë katër javëve të para të jetës. Pas kësaj periudhe, përgjegjësia kalon tek Qendrat për Punë Sociale, të cilat angazhohen për gjetjen e familjeve strehuese ose formave të tjera të kujdesit institucional.
Rastet e vazhdueshme të braktisjes së foshnjave po ngrejnë shqetësime për nevojën e forcimit të mbështetjes sociale dhe psikologjike për nënat dhe familjet në situata të vështira, me qëllim parandalimin e këtij fenomeni.Burimi: Tv Dukagjini.

