Kreu i AAK-së dhe kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ka prezantuar një nga zotimet kryesore të planit të tij elektoral, që lidhet me mbështetjen e drejtpërdrejtë për bujqit dhe prodhuesit vendorë të ushqimit.
Gjini ka deklaruar se tokat e mbjella dhe familjet që merren me prodhimin e ushqimit nuk duhet të rëndohen më me obligime tatimore që, sipas tij, penalizojnë prodhimin vendor.
“Një nga premtimet bazë të fushatës e planit tonë. Asnjë pëllëmbë tokë e mbjellë dhe asnjë familje që prodhon ushqim për tryezat tona nuk do të penalizohet më me taksa të rënda”, ka shkruar Gjini.
Ai tha se heqja e këtij obligimi do të përbënte mbështetje direkte për prodhuesit vendorë, duke e lidhur këtë masë me synimin për fuqizimin e sektorit të bujqësisë.
Sipas Gjinit, bujqësia duhet të trajtohet si një prej sektorëve kyç të zhvillimit ekonomik në vend.

